Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arjanit Hoxha, sot realizoi konferencë për shtyp në sallën e madhe të MBPEU-së, me rastin e prokurimit të pajisjeve të reja personale mbrojtëse për nevojat e Policisë Pyjore.
Policia Pyjore e cila operon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si zyrtarë të autorizuar me kompetenca të veçanta ligjore, pas 12 vitesh do të furnizohen me pajisje të reja mbrojtëse personale.
Sektori i Policisë Pyjore numëron gjithsejt 383 persona të punësuar, nga të cilët 334 zyrtarë të autorizuar: komandantë, zëvendëskomandantë dhe oficerë të Policisë Pyjore dhe 49 zyrtarë administrativ.
"Të gjithë zyrtarët e Policisë Pyjore së pari do të pajisen me çizme, prokurimin publik të të cilave e realizoi MBPEU. Procedura e tenderimit u përfundua me sukses dhe sot, para jush, është ekspozuar modeli që kaloi kontrollin tonë të brendshëm të cilësisë, pas së cilës në ditët e ardhshme pajisjet do të shpërndahen në të gjitha stacionet e Policisë Pyjore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky është hapi i parë i prokurimit, ndërsa në proces të realizimit është edhe prokurimi i furnizimit me uniforma të reja verore dhe dimërore, me të cilat punonjësit e Policisë Pyjore do të pajisen jo më së voni se në muajin mars të vitit të ardhshëm.”, tha ministri Hoxha.
Prokurimi i pajisjeve personale mbrojtëse është mbi 10 milion denarë, me çka 2.5 milion denarë janë përdorur për prokurimin e çizmeve, dhe pjesa tjetër e shumës është paraparë për prokurimin e furnizimit me uniforma të reja.
Ministri theksoi se MBPEU është duke zbatuar vetëm detyrimin ligjor, e që do të thotë, të sigurojë të gjitha kushtet për sigurinë dhe shëndetin gjatë punës të të gjithë punonjësve. Policia Pyjore kryen detyrat e saj të punës në terren, dhe një nga masat për mbrojtjen nga rreziku në punë është që të ketë pajisje të përshtatshme mbrojtëse personale, dmth këpucë dhe uniforma.
Pajisjet mbrojtëse personale duhet të përmbushin standardet e Bashkimit Evropian, si dhe rregulloret ndërkombëtare në lidhje me modelimin dhe prodhimin, dhe veçanërisht në lidhje me sigurinë dhe shëndetin e punonjësve. Çizmet që janë suguruar janë saktësisht në përputhje me standardet e përshkruara nga rregulloret evropiane, e njëjta do të implementohet dhe respektohet edhe gjatë furnizimit me uniforma.
Në ngjarjen e sotme, Ministri Hoxha shpërndau në mënyrë simbolike çizmet e para oficerëve të policisë pyjore që ishin të pranishëm në këtë event, kurse pjesa tjetër do të shpërndahet nëpër stacionet e Policisë Pyjore në ditët në vijim.
Ministri Hoxha shprehu kënaqësinë e tij personale për rezultatet e punës së Policisë Pyjore, e që është fakt të cilin e ka konfirmuar edhe Organizata Botërore e Doganave dhe Interpoli. Kohët e fundit, Republika e Maqedonisë së Veriut mori pjesë në operacionin ndërkombëtar THUNDER 2020, të organizuar dhe koordinuar nga Organizata Botërore e Doganave dhe Interpoli, që kishte fokus kryesor luftën kundër krimit me florën dhe faunën e egër dhe pyjet. Në operacion, gjithashtu, mori pjesë Ministria e Brendshme dhe Policia Pyjore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Operacion ky, që u përfundua me rezultate të larta. Policia Pyjore dhe Ministria e Brendshme kanë realizuar gjithsej 118 sekuestrime të drunjve për ngrohje, nga të cilat 91 nga ana e Policisë Pyjore, 2 nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe 25 sekuestrime në bashkëpunim mes dy institucioneve të lartëpërmendura. Gjatë aksioneve janë sekuestruar edhe mjete transportuese, si traktorë, rimorkio dhe karroca, si edhe sharë dore me motor dhe sëpata të ndryshme. Gjithsej 21 procedurë penale dhe 89 procedura kundërvajtëse u iniciuan kundër 110 personave për sulm ndaj zyrtarëve dhe për prerje të paligjshme, transportim ose ruajtje të drunjve për ngrohje.
Organizata Botërore e Doganave dhe Interpoli vunë në dukje këtë operacion si konfirmim të rreziqeve me të cilat përballen pjesëtarët e Policisë Pyjore çdo ditë.
Shpesh, ata përballen me rreziqe të larta, ndonjëherë edhe për sa i përket jetës së tyre, sepse përballen me grupe të krimit të organizuar.
Policia Pyjore në mënyrë më të ndërgjegjshme dhe me përgjegjësi të lartë i kryen detyrat e saj dhe kontributi i tyre për të parandaluar prerjen e paligjshme të pyjeve tona është shumë i madh.
Në seancën e djeshme, Qeveria miratoi Informacionin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të punëtorëve përmes një marrëveshje kolektive të zyrtarëve të autorizuar në Policinë Pyjore. Me këtë marrëveshje, pas 22 vitesh, pagat dhe të drejtat e Policisë Pyjore do të rriten.
Ministri Hoxha falënderoi Policinë Pyjore, i përgëzoi për punën e tyre të suksesshme dhe në të njëjtën kohë i inkurajoi ata që të vazhdojnë me guxim dhe trimëri luftën kundër krimit të prerjes së paligjshme të drunjve.
Ngjarja u organizua në përputhje me protokollin për organizimin e ngjarjeve në kushtet e një pandemie, të formuluara nga Qeveria e RMV-së.