U dorëzuan kërkesat e para për regjistrimin e kantinave të vogla familjare në regjistrin e prodhuesve të verës

30.6.2020 11:00:00


Sot në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave u dorëzuan kërkesat e para për regjistrimin e kantinave të vogla familjare në regjistrin e prodhuesve të verës. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimkovski së bashku me Drejtorin e Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Zoran Shapuriq, zhvilluan një takim në ambientet e MBPEU me përfaqësuesit e kantinave të para të vogla që dorëzuan kërkesat e tyre me dokumentacionin e nevojshëm në Arkivën e MBPEU.

Me ndryshimin e Rregullores për shumën e kompensimit për punët e kryera të Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi u lehtësuan kushtet për regjistrim në regjistrin e prodhuesve të verës të personave fizikë dhe kantinave të vogla. Kantinat e vogla me kapacitet të përpunimit dhe ruajtjes së verës deri në 30,000 litra në vit, në vend që të paguajnë 10,000 denarë tarifën e regjistrimit, tani do të paguajnë vetëm 1.500 denarë, ndërsa për veraritë e mëdha me kapacitet përpunimi dhe ruajtjeje të verës mbi 30,000 litra tarifa ulet për gjysmë, pra do të paguajnë 5000 denarë në vit.

Kjo masë është në përputhje me Ligjin dhe synon të lejojë që kantinat e vogla të paguajnë tarifa më të ulëta nga ato që paguajnë kantinat e mëdha dhe që prodhojnë sasi më të mëdha dhe fitojnë fitime të mëdha.

Kantinat e vogla familjare të prodhuesve të verës tani do të legalizohen. Ky ndryshim do të kontribuojë në ndershmëri dhe korrektësi përsa i përket shpenzimeve për regjistrimin e një kantine, përkatësisht sasinë e shpenzimeve për të korresponduar me kapacitetin për prodhimin dhe ruajtjen e verës së prodhuar në kantinë.

Për qasje më të lehtë në regjistrim, #MBPEU ka përgatitur një fletushkë që tregon hapat për t'u regjistruar në regjistrin e prodhuesve të verës, e cila është në dispozicion të publikut.

 

Share